Një ish-deputet tajlandez hapi zjarr ndaj një zyrtari lokal në një godinë qeveritare të hënën, në incidentin e dytë me armë zjarri në pak ditë në provincën Nonthaburi, pranë Bangkokut.
Autori i dyshuar, Chalong Reawraeng, ish-deputet për provincën Nonthaburi, është arrestuar nga policia. Ai dyshohet se qëlloi disa herë ndaj Thongchai Yenprasert, president i Organizatës Administrative Provinciale të Nonthaburit.
Thongchai u dërgua në spital në gjendje të rëndë, së bashku me shoferin e tij, i cili gjithashtu u qëllua gjatë sulmit.
Pak kohë pas ngjarjes, Reawraeng dyshohet se telefonoi në një emision në YouTube dhe u tregoi prezantuesve atë që kishte bërë.
Autoritetet konfirmuan më vonë se Thongchai Yenprasert ka ndërruar jetë në spital.
Sipas raportimeve, ish-deputeti e kishte qëlluar disa herë, përfshirë edhe në zonën e qafës.
Thongchai ishte një ish-oficer policie dhe drejtonte Organizatën Administrative Provinciale të Nonthaburit. Ai iu bashkua policisë në vitin 1984 dhe gjatë karrierës së tij shërbeu si zëvendësdrejtues dhe drejtues i disa komisariateve në provincën Nonthaburi.
Në vitin 2004 ai u emërua në krye të organit administrativ provincial.
Chalong Reawraeng, 71 vjeç, ka shërbyer si deputet për tre mandate dhe në të kaluarën ka qenë pjesë e partisë Pheu Thai.
Në vitin 1997 ai mori nofkën politike “kobra”, një term që përdoret në Tajlandë për politikanët që dalin kundër linjës së partisë së tyre. Në atë kohë, ai votoi për një kandidat për kryeministër nga një parti tjetër.
Në zgjedhjet e fundit, Reawraeng kandidoi nën siglën e partisë në pushtet Bhumjaithai, por nuk arriti të siguronte një mandat.
Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë pas një tjetër sulmi me armë në të njëjtën provincë.
Një adoleshent vrau shtatë persona në shtëpinë dhe shkollën e tij, përpara se të vriste veten. Ngjarja u konsiderua si të shtënat masive më të rënda në Tajlandë që nga viti 2022.
Deri tani, nuk ka të dhëna se dy sulmet kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Policia vijon hetimet për motivin e sulmit ndaj zyrtarit lokal, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje për rrethanat që çuan në ngjarjen e rëndë.


