Një djalë 3-vjeçar, i cili mbeti i plagosur rëndë pasi dyshohet se u përfundoi në kafazin e krokodilëve në një kopsht zoologjik në Britaninë e Madhe, i është nënshtruar operacionit të shtatë, ndërsa mjekët po përpiqen t’i rikthejnë funksionin e dorës së majtë.
Ngjarja tronditëse ndodhi më 18 qershor në kopshtin zoologjik Johnsons of Old Hurst, pranë Huntingdonit, në qarkun Cambridgeshire. Sipas policisë, një burrë 30-vjeçar dyshohet se e ngriti fëmijën mbi gardh dhe e hodhi në zonën ku mbaheshin krokodilët. Vogëlushi besohet se ra nga një lartësi prej rreth 4.5 metrash, përpara se të kafshohej nga një krokodil, shkruan The Times.
Fëmija ndodhet prej katër javësh i shtruar në spitalin Addenbrooke’s Hospital në Kembrixh, ku të mërkurën iu nënshtrua një ndërhyrjeje të re kirurgjikale.
Prindërit e djalit bënë të ditur përmes një mesazhi në platformën GoFundMe, të hapur nga gjyshja e tij, se kirurgët kryen një transplant nervor në krahun e majtë.
“Mjekët morën një nerv nga këmba e tij për të zëvendësuar pjesën e nervit që mungonte në krahun e majtë. Shpresojmë që me kalimin e kohës ai të lidhet me indet dhe t’i rikthejë djalit tonë një pjesë të lëvizshmërisë së dorës. Do të duhen disa muaj për të kuptuar nëse operacioni ka qenë i suksesshëm”, shkruajnë ata.
Prindërit zbuluan gjithashtu se menjëherë pas mbërritjes në spital, djali iu nënshtrua një operacioni urgjent që zgjati plot 12 orë.
Ai pësoi dëmtime të rënda në tendina, nerva dhe enë gjaku, si dhe fraktura dhe plagë serioze në të dy krahët, qafë, kokë dhe fytyrë.
Ata treguan se, përpara operacionit të parë, mjekët u kërkuan të firmosnin dokumente që parashikonin edhe mundësinë e amputimit të gjymtyrëve ose nevojën për reanimim.
“Nuk e dinim nëse djali ynë do të mbijetonte. Ishte ndjesia më e tmerrshme që kemi përjetuar ndonjëherë”, rrëfyen ata.
Pavarësisht traumës së rëndë, prindërit thanë se djali i tyre ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë javëve të fundit.
“Katër javë më vonë, vogëlushi ynë po flet me infermierët, luan duke përdorur këmbët dhe ka filluar të buzëqeshë sërish. Jemi të mahnitur me mënyrën se si po lufton.”
Ata shpresojnë që operacioni i fundit të jetë ndërhyrja e fundit për momentin dhe se, nëse gjithçka shkon mirë, djali do të mund të kthehet së shpejti në shtëpi.
Megjithatë, rehabilitimi i tij pritet të jetë i gjatë dhe do të përfshijë trajtim fizik dhe psikologjik. Të dy prindërit kanë ndërprerë përkohësisht punën për t’u kujdesur për të.
Fushata e mbledhjes së fondeve në GoFundMe ka grumbulluar tashmë më shumë se 69 mijë paund, të cilat do të përdoren për të mbuluar shpenzimet e familjes gjatë periudhës së rehabilitimit dhe kujdesit afatgjatë të fëmijës.
Menjëherë pas incidentit, pronarët e kopshtit zoologjik, Andrew Johnson, bashkëshortja e tij Tracey dhe djali i tyre Edward, hynë në kafazin ku ndodheshin rreth 50 zvarranikë për të shpëtuar vogëlushin.
Ndërkohë, burri 30-vjeçar i dyshuar për ngjarjen u arrestua nën dyshimin për tentativë vrasjeje. Policia e Cambridgeshire bëri të ditur se ai u vlerësua i papërshtatshëm për t’u marrë në pyetje për shkak të gjendjes së tij mendore dhe është liruar me kusht, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Autoritetet në Norfolk kanë hapur gjithashtu një hetim për të verifikuar nëse kujdesi ndaj të dyshuarit, i cili ndodhej në kopshtin zoologjik i shoqëruar nga dy kujdestarë, ishte ofruar në mënyrë të duhur.


