Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar përmes një videoje, duke mohuar raportimet se ka zhvilluar negociata me kryeministrin Edi Rama për të marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë. Përmes një video në Facebook, Braçe ka theksuar se votat e marra ndër vite në qarkun e Tiranës dhe veçanërisht në Bashkinë e Tiranës nuk i ka përdorur asnjëherë për interesa apo pazare personale.
Gjithashtu ai u shpreh se asnjëherë nuk ka qenë i interesuar për poste dhe karrige, por për përgjegjësinë dhe punën që i është besuar nga qytetarët.
“Po tani, pesë ditë Braçe bën pazare me Ramën, merr Ministrinë e Bujqësisë, merr Ministrinë e Bujqësisë, meqë e ke merak, dhe ikën nga Bashkia e Tiranës. Madje, një media e pashë në darkë që shkruante: ‘Qeni që leh nuk e ha, sidomos kur bëhesh ministër’. Po turp a ke? Turp të vijë! Çfarë do të thuash sot?
Nuk di çfarë të them, por një gjë, të them të drejtën. Por një gjë dua ta ndaj me secilin prej jush, ato 25 mijë vota në qarkun e Tiranës, ato 19 mijë vota vetëm në Bashkinë e Tiranës. Tani pa modesti, i pari atje, i pari këtu, mijëra vota që nga viti 1996 e këtej, si kam përdorur kurrë, kurrë për pazare personal. Nuk janë nevojat të mijat, as kanë qenë, as janë dhe as do të jenë karriget. Gjithmonë jam interesuar për punën dhe falënderoj shumë ata mijëra njerëz që ma kanë besuar këtë punë. Kaq. Tani hani pazaret tuaja, siç hani paratë e ca pisave, një pjesë brenda PS-së që iu paguajnë juve,” shprehet Braçe.



