Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Fairbanks të Alaskës, ku një 21-vjeçare ka humbur jetën pasi është qëlluar aksidentalisht nga i dashuri i saj 22-vjeçar, i cili më pas i ka marrë jetën vetes.
Viktimat janë identifikuar si CloeRae McBrayer, 21 vjeçe, dhe Landon Lowrance, 22 vjeç.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 16 shtatorit, rreth orës 21:12, në një banesë në Bentley Drive. Sipas Policisë së Fairbanks, Lowrance po luante me një revolver dhe në një moment e drejtoi armën nga e dashura e tij. Arma u shkrep dhe plumbi goditi 21-vjeçaren.
Një mik i 22-vjeçarit, i cili ndodhej në banesë, telefonoi menjëherë shërbimet e emergjencës për të raportuar ngjarjen.
Ndërsa telefonata me 911 vijonte, policia thotë se Lowrance mori një armë tjetër dhe qëlloi veten. Miku i tij dyshohet se u përpoq ta ndalonte.
Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, gjetën McBrayer të pajetë, ndërsa 22-vjeçari ishte në gjendje kritike. Ai u transportua në spitalin Fairbanks Memorial, ku më pas ndërroi jetë. Autoritetet e kanë klasifikuar vdekjen e tij si vetëvrasje.
Policia ka bërë të ditur se miku që telefonoi 911 nuk dyshohet se ka pasur ndonjë rol në të shtënat dhe hetuesit besojnë se kanë një panoramë të qartë të asaj që ka ndodhur.
Familjarët kanë treguar se CloeRae ishte me origjinë nga Alabama dhe së fundmi ishte pranuar në Universitetin e Alaskës në Fairbanks, ku synonte të studionte për t’u bërë mësuese.
Policia e cilësoi ngjarjen si një humbje tragjike dhe të parandalueshme, duke bërë apel që armët e zjarrit të trajtohen gjithmonë me përgjegjësi dhe të mos përdoren kurrë në lojëra apo veprime që mund të rrezikojnë jetën.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.



