Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së hënës në Jalë të Himarës, ku një 32-vjeçare nga Mbretëria e Bashkuar ka ndërruar jetë pasi shfaqi probleme shëndetësore teksa qëndronte në një hotel.
Ngjarja është raportuar rreth orës 18:40 të datës 21 shtator. Sipas informacionit paraprak, shtetasja me iniciale I. R., 32 vjeçe, e lindur në Londër, kishte kërkuar ndihmë në recepsionin e hotelit pasi ishte ndier keq.
Stafi i hotelit e ka transportuar menjëherë drejt Qendrës Shëndetësore, por pavarësisht ndihmës së dhënë nga mjekët, e reja nuk ka mundur të mbijetojë.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se bëhet fjalë për një vdekje nga shkaqe natyrale. Sipas të dhënave të deritanishme, 32-vjeçarja kishte pasur probleme shëndetësore, konkretisht me frymëmarrjen dhe diabetin.
Megjithatë, shkaku përfundimtar i vdekjes nuk është përcaktuar ende.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet procedurale dhe verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.



