Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Klevis Qose, mori pjesë në Konferencën e 25-të Vjetore Profesionale dhe Asamblenë e Përgjithshme të rrjeteve EPAC/EACN, të zhvilluar në Budva të Malit të Zi.
Aktiviteti u organizua nga Agjencia e Parandalimit të Korrupsionit e Malit të Zi dhe mblodhi përfaqësues të institucioneve homologe antikorrupsion dhe të mbikëqyrjes policore nga vende të ndryshme të Evropës.
Konferenca u zhvillua nën moton “Mbrojtja e Integritetit Publik dhe Interesave Financiare të BE-së – Bashkëpunim Praktik kundër Korrupsionit dhe Mashtrimit”, duke vendosur në fokus forcimin e integritetit institucional, luftën kundër korrupsionit dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në këtë forum morën pjesë edhe përfaqësues të organizatave dhe institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë UNODC, EPPO, OLAF, GRECO, OECD, Eurojust dhe Europol.
EPAC/EACN përbën një nga platformat kryesore evropiane për bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve antikorrupsion dhe organeve të mbikëqyrjes policore. Përmes këtij rrjeti mundësohet shkëmbimi i eksperiencave, praktikave të mira dhe mekanizmave konkretë për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe për forcimin e integritetit të institucioneve publike.
Gjatë takimit u miratua edhe Deklarata e Budvës, përmes së cilës u riafirmua angazhimi i përbashkët për tolerancë zero ndaj korrupsionit, forcimin e integritetit publik dhe thellimin e bashkëpunimit praktik ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
Pjesëmarrja e Drejtorit të Përgjithshëm të AMP-së, Klevis Qose, në këtë aktivitet përbën një mundësi për forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit me homologët evropianë dhe për shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e mbikëqyrjes policore, integritetit institucional dhe luftës kundër korrupsionit.
Për AMP-në, bashkëpunimi në kuadër të rrjeteve evropiane të integritetit dhe mbikëqyrjes lidhet edhe me procesin e përafrimit të standardeve institucionale të Shqipërisë me ato të Bashkimit Evropian.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore shprehu mirënjohjen për Agjencinë e Parandalimit të Korrupsionit të Malit të Zi dhe Sekretariatin e EPAC/EACN për organizimin dhe mikpritjen e këtij aktiviteti ndërkombëtar.



