Ndarja e re administrative në vetvete vështirë të thuhet se ishte një prioritet absolut i Kryeministrit dhe se atë nuk po e zinte gjumi pa shkrirë 15 bashki. Aq më tepër kur shumica e tyre ishte zona e bastione të majta dhe pakënaqësia që u krijua do të jetë një kosto politike dhe elektorale për të, në garën më të parë që do të ndodhë.
Më shumë se sa kjo, ndoshta Edi Ramës i interesonte të kalonte testin e 84 votave. Ajo shumicë e cilësuar që atij i lypset për të bërë ndryshime më të rëndësishme, si përshembull Kodi i Procedurës Penale.
Amendimet janë hartuar dhe janë propozuar në publik. Bëhet fjalë për një ndërhyrje që si pika kryesore ka, heqjen e arrestit me burg për veprat penale që dënohen deri në 5 vite. Dhe parashikon masa të forta për të mos lejuar që detaje të hetimit të rrjedhin, të publikohen, të dalin në media.
Janë këto 2 momente që Edi Ramën po e penalizojnë më shumë dhe pothuajse në mënyrë kronike.
SPAK ka krijuar një klimë jo të mirë tek qeveritarët e bashkëpunëtorët e Kryeministrit me aktet që ka ndërmarrë. Shumë prej tyre janë të frikësuar për të firmosur e zbatuar porosi. Pikërisht, veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe prishjes së barazisë në tendera, janë ajo zona ku notojnë ministrat, drejtorët e rëndësishëm. Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale janë një garanci për ta, se nuk do të shkojnë në burg nëse kapen.
Nga ana tjetër, dalja në media e detajeve të hetimit, janë një gofitje e rëndë e imazhit të qeverisë dhe Kryeministrit. Nëse këto ndalohen, sërish kjo do të ishte një frymëmarrje për një kohë të mbushur me skandale. Të dy këto momente, përveçse për ministrat e zyrtarët e lartë, vlejnë edhe për Kryeministrin vetë, hipotetikisht nëse SPAK do të guxonte të shkonte edhe më lart.
Pra Kodi i Procedurës Penale dhe heqja e një arme të fortë që ka SPAK në dorë, janë akute, janë nevojat jetike për Edi Ramën sot, aspak ndarja e re administrative.
Për ndryshimet në Kod, duhen 84 vota. Kjo shumicë e cilësuar Ramës i duhet e blinduar, e garantuar, pa supriza. Derisa ja doli ta kishte për shkrirjen e 15 bashkive ku shumë prej deputetëve të tij nuk ishin dakort ose kishin lidhje direkte me zonat e prekura, atëherë për Kodin e Procedurës Penale e ka edhe më të lehtë.
Mund të themi se mbrëmë Edi Rama e kaloi testin që kishte në të vërtetë si objektiv. Shumicën e cilësuar në Kuvend, 84 kartonat magjike që i lypsen shumë shpejt.
Shenim nga Albania Today/Ndarja e re administrative ishte test, objektivi i vërtetë janë ndryshimet në Kod
Publikuar më



