Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjilanin pasditen e së premtes, ku dy persona, vëlla e motër, kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Sipas raportimeve të mediave vendase, viktimat janë Nafije dhe Egzon Bogujevci, rreth 30 vjeç. Si autor i dyshuar i ngjarjes është identifikuar Valon Ramushi, bashkëshorti i Nafijes.
Hetimet për zbardhjen e plotë të krimit vijojnë, ndërsa raportimet e para flasin për një dinamikë që është zhvilluar pranë automjeteve të viktimave.
Sipas mediave në Kosovë, palët ndodheshin në automjete kur Ramushi dyshohet se ka dalë nga makina dhe është afruar drejt mjetit ku ndodhej kunati i tij dhe xhaxhai i këtij të fundit, duke qëlluar ndaj tyre.
Më pas, ai dyshohet se është kthyer drejt automjetit ku ndodhej bashkëshortja e tij dhe ka qëlluar edhe ndaj saj.
Nafije dhe Egzon Bogujevci kanë humbur jetën në vendngjarje.
Nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe xhaxhai i viktimave, i cili është dërguar në QKUK. Sipas raportimeve, ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe gjendja e tij paraqitet kritike.
Mediat vendase raportojnë gjithashtu se Valon Ramushi është sipërmarrës në Gjilan dhe pronar i biznesit “Loni Therm”.
Policia vijon hetimet për të përcaktuar motivin, rrethanat dhe dinamikën e plotë të krimit të dyfishtë.



