Protesta e studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë po vijon ende, por qetësia e mëngjesit është prishur nga dhuna e policisë mbi një gjimnazist.
Në orët e para të ditës, shefi i FNSH-së bisedoi me protestuesit dhe dukej sikur situata u qetësua. Të rinjtë marshuan nëpër qytet pa thyer asgjë dhe pa krijuar asnjë incident. Gjithçka ishte nën kontroll derisa marshimi mbërriti te Ministria e Arsimit.
Aty situata u përshkallëzua. Policia nisi të hidhte ujë mbi protestuesit dhe pati përplasje mes të rinjve dhe efektivëve të policisë.
Në një nga videot që po qarkullon në rrjet, shihet se si një efektiv i policisë përplas në tokë një gjimnazist, i cili thjesht po qëndronte aty. Djali përplas kokën në asfalt, ndërkohë që një polic e tërheq zvarrë. Një tjetër efektiv i bie me shkelm fort në këmbë, sikur donte t’ia thyente. Pamjet kanë ngjallur zemërim te qytetarët, të cilët pyesin pse duhej kjo dhunë ndaj një nxënësi të shtrirë përdhe.
Policia nuk ka reaguar ende për rastin. Nuk dihet as si është gjendja e të riut. Protestuesit janë ende në rrugë dhe tensioni vazhdon.



