Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka folur për situatën politike, protestat në Tiranë, mundësinë e kandidimit për kryetar bashkie dhe marrëdhëniet brenda Partisë Socialiste.
I ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, në Top Channel, Braçe deklaroi se Tirana ka probleme serioze me pastërtinë, ndërsa këmbënguli se kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës duhet të përzgjidhet përmes një gare të brendshme në parti.
“Unë kam kërkuar që të bëhet një garë brenda asaj partisë time dhe kandidati i partisë time të zgjidhet nëpërmjet garës. Unë kam kërkuar një garë dhe do i qëndroj deri në fund kësaj historie”, u shpreh deputeti socialist.
I pyetur se çfarë do të ndryshonte në kryeqytet, Braçe u përgjigj:
“Pastërtinë. Është shumë e papastër. Tirana është e pisët sot që flasim.”
Deputeti komentoi edhe protestat, duke theksuar se tensionet ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve.
“I frikëson, i bën të mos dalin nga shtëpia, të vonohen për punë, për shkollë, të vonohen për jetën e tyre të përditshme”, deklaroi ai.
Megjithatë, Braçe pranoi se mes protestuesve ka edhe kërkesa legjitime që duhet të merren në konsideratë nga qeveria dhe shumica parlamentare.
“Duhet ndarë ajo që është e dhunshme nga ajo që është interes legjitim”, theksoi ai.
Braçe u ndal edhe te qëndrimet e tij publike, duke deklaruar se nuk shqetësohet nëse mendimet e tij prekin persona të tjerë.
“Çdo ambient që je, partiak, parlament, publik, detyrimi është të thuash atë që mendon. Pastaj kush preket nga kjo gjë, mua nuk më intereson.”
Gjatë intervistës, ai u pyet edhe për deputeten Zegjine Çaushi, por zgjodhi të mos bënte komente personale.
“Në botë ka dy lloje burrash. Burra që flasin me gratë dhe burrat që flasin për gratë. Unë për gratë nuk flas”, tha Braçe.
Ai shtoi se është ekonomist, ndërsa Çaushi është juriste dhe ndodhet në mandatin e saj të parë parlamentar, duke kujtuar se edhe ai kishte qenë në të njëjtën situatë në fillimet e karrierës politike.
Deklaratat u bënë gjatë emisionit “Goca dhe Gra”, të transmetuar në Top Channel, ku deputeti socialist foli si për zhvillimet politike, ashtu edhe për çështjet që, sipas tij, shqetësojnë qytetarët e Tiranës.



