Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur” për mësuesin e edukimit fizik në Selenicë që akuzohet për ngacmim seksual pas denoncimit nga 7 nxënëse të mitura.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe pas vendimit avokatja e tij ka folur për mediat duke theksuar se akuzat e ngritura ndaj 35-vjeçarit janë ende në fazën e hetimeve paraprake, por pa dhënë më shumë detaje.
Mësuesi 35 vjeçar në shkollën “Hajredin Beqari”, u ndalua më 6 nëntor, pasi 7 vajza të moshave 14–17 vjeçe denoncuan se ishin ngacmuar seksualisht prej tij në ambientet e shkollës.
Në dëshmitë e dhëna në polici, vajzat kanë treguar një episod të ndodhur gjatë një ore mësimi në palestër, ku, sipas tyre, mësuesi iu kishte drejtuar udhëzime të tilla si: “Drejtoni gjoksin, shpatullat drejt, këmbët bashkuar”.
Denoncimi u bë fillimisht pranë autoriteteve arsimore në Selenicë, të cilat njoftuan policinë. Ndërkohë, kolegët e 35-vjeçarit thanë se ishin habitur nga lajmi, pasi sipas tyre, ai kishte pasur sjellje korrekte dhe nuk kishin marrë ankesa më parë .
Policia e Vlorës kur e ka ndaluar mësuesin 35 vjeçar, në telefonin e tij nuk janë gjetur komunikime dhe vetë vajzat kanë deklaruar publikisht se shtetasi A.A nuk ju ka dërguar ndonjë mesazh apo ngacmim.
Ndërkohë prindërit e disa prej vajzave denoncuese, janë shprehur për mediat lokale se nuk kanë asnjë dyshim te mësuesi dhe e konsiderojnë person shumë të rregullt.



