Tragjedi në autostradën Trakia në Bullgari. Sipas informacionit të deritanishëm, të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe 49 janë plagosur në dy aksidente të mëdha këtë mëngjes, në zonën e Jambollit. Në to u përfshinë gjithsej 86 makina dhe kamionë.
Bilancin e bëri të ditur kryeministri Rumen Radev në një konferencë për shtyp, të transmetuar nga Radioja Kombëtare Bullgare. Thirrja e parë në numrin e emergjencës 112 erdhi në orën 7:10.
Aksidenti i parë ndodhi në korsitë drejt Burgasit. Sipas Lubomir Nikolovit, kryesekretar në detyrë i Ministrisë së Brendshme, një kamion i bllokoi rrugën një autobusi me pasagjerë.
Shkaqet nuk janë përcaktuar ende. Radev tha se gjithçka ndodhi kur ra papritur mjegull e dendur dhe rruga ishte e rrëshqitshme.
Avioni qeveritar u devijua drejt Burgasit për të transportuar disa nga të plagosurit, dhe u dërgua edhe një avion ushtarak transporti Spartan, raportoi agjencia BTA. Në vendngjarje po punojnë ekipet mjekësore, policia dhe ushtria. Të plagosurit janë shpërndarë në spitalet e Slivenit, Jambollit dhe Burgasit.
Në rrethet e Jambollit, Slivenit dhe Burgasit është aktivizuar sistemi i alarmit BG-ALERT, që paralajmëron shoferët për rrezikun dhe i orienton drejt rrugëve alternative.
Pas tragjedisë, qeveria anuloi mbledhjen e planifikuar për sot. U anuluan edhe të gjitha aktivitetet në Varna që ishin pjesë e vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.








