Është identifikuar 39-vjeçari shqiptar, i cili u vra me armë zjarri në një atentat në zonën e Orihuela Costa, në Spanjë. Luka Beqiraj, shtetasi nga Vlora u ekzekutua ditën e sotme rreth orës 13:00, ku dyshohet se ngjarja e rëndë ndodhi për larje hesapesh, në kompleksin sportiv dhe argëtues Playa Flamenca Sport Club.
Sipas mediave spanjolle, bëhet me dije se, Beqiraj ndodhej në tarracën e një lokali, teksa personi i armatosur u afrua dhe qëlloi disa herë në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Gjithashtu, menjëherë pas vrasjes, autori i ngjarjes është larguar nga vendngjarja me një skuter elektrik. Ndërkohë, ende nuk dihen detajet e sakta për vrasjen e të riut shqiptar, ndërsa autori është shpallur në kërkim.
Sakaq, autorietet policore të Spanjës janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave.



