BallinaVendiAktualitetAvokati i Popullit kërkon mbylljen e 5 burgjeve: Mbipopullimi dhe kushtet cenojnë...

Avokati i Popullit kërkon mbylljen e 5 burgjeve: Mbipopullimi dhe kushtet cenojnë dinjitetin njerëzor

Publikuar më

spot_imgspot_img

Avokati i Popullit ka ngritur alarmin për gjendjen në sistemin penitenciar në Shqipëri, duke kërkuar mbylljen e pesë institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale dhe duke e cilësuar situatën në disa prej tyre si “trajtim degradues” që cenon dinjitetin njerëzor dhe bie ndesh me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Gjetjet janë pjesë e raportit vjetor 2025 dhe bazohen në inspektimet në 18 institucione të ekzekutimit të vendimeve penale, si dhe në 115 raste ankesash të trajtuara gjatë vitit.

Sipas institucionit, pesë burgje duhet të mbyllen për shkak të kushteve të rënda dhe amortizimit të theksuar: Burrel, Kosovë–Lushnjë, Kukës, “Mine Peza” (302) dhe “Jordan Misja” (313). Në këto institucione, sipas raportit, trajtimi i të dënuarve dhe të paraburgosurve i afrohet nivelit të trajtimit degradues.

“Kur shteti i mban të dënuarit në kushte degraduese, nuk po i ndëshkon, por po i poshtëron. Mbyllja e këtyre pesë institucioneve është detyrim kushtetues”, deklaroi Avokati i Popullit, Endri Shabani.

Mbipopullim i lokalizuar dhe paraburgim i lartë

Ndërsa në nivel kombëtar sistemi penitenciar rezulton nën kapacitet (rreth 87% i shfrytëzimit), raporti thekson se problematika qëndron në shpërndarjen e pabarabartë të të burgosurve.

Në IEVP Lezhë, mbipopullimi arrin 65%, me 181 persona mbi kapacitetin. Gjithashtu, mbipopullim është evidentuar edhe në “Jordan Misja” (+11%), Vlorë (+10%) dhe Fushë-Krujë (+2.4%).

Një tjetër shqetësim i ngritur është niveli i lartë i paraburgimit, që përbën 56.8% të popullsisë penitenciare. Sipas raportit, të paraburgosurit qëndrojnë mesatarisht 253 ditë në qeli pa një vendim dënimi, duke ngritur shqetësime serioze për respektimin e prezumimit të pafajësisë.

Kushte që cenojnë dinjitetin njerëzor

Inspektimet kanë evidentuar një sërë problematikash në infrastrukturë dhe trajtim, përfshirë ambiente të amortizuara, mungesë ajrimi, ndriçimi dhe ngrohjeje, si dhe mungesë hapësirash për ruajtjen e sendeve personale.

Në shumë raste, të burgosurit detyrohen t’i mbajnë sendet në qese plastike për shkak të mungesës së dollapëve. Po ashtu, raporti ngre shqetësime për mungesë higjiene, furnizim të pamjaftueshëm me ushqim, si dhe mungesë aktivitetesh rehabilituese e sociale.

Kujdes shëndetësor i kufizuar

Një tjetër problem i theksuar është shërbimi shëndetësor në burgje, i cili sipas raportit funksionon kryesisht në mënyrë emergjente dhe jo të vazhdueshme. Në shumicën e institucioneve nuk ka mjek me kohë të plotë, ndërsa prania e tyre kufizohet në rreth katër orë në ditë.

Raporti evidenton gjithashtu mungesë autoambulancash, vështirësi në referimin tek specialistët dhe raste kur spitalet rajonale refuzojnë trajtimin e të burgosurve për arsye sigurie. Veçanërisht problematike mbetet mungesa e një institucioni të specializuar për personat me probleme të shëndetit mendor.

Thirrja për reforma urgjente

Avokati i Popullit i ka kërkuar Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë një rishikim të politikës së paraburgimit, investime urgjente në sistemin shëndetësor të burgjeve dhe krijimin e një strukture të specializuar për shëndetin mendor.

Po ashtu, kërkohet mbyllja e pesë institucioneve të identifikuara deri në rikonstruktimin e plotë të tyre dhe një rivlerësim kombëtar i kapaciteteve të sistemit penitenciar.

Raporti thekson se problemet në burgje nuk janë të izoluara, por pjesë e një zinxhiri më të gjerë që lidhet me përdorimin e lartë të paraburgimit, mungesën e masave alternative dhe mbingarkesën e institucioneve.

Sipas Avokatit të Popullit, vetëm ndërhyrje strukturore mund të ndalojë përkeqësimin e mëtejshëm të kushteve dhe të garantojë respektimin e të drejtave themelore të personave të privuar nga liria.

Artikujt e fundit

Ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako paraqitet në GJKKO

Ish-deputeti i PS-së Alqi Bllako është paraqitur mëngjesin e sotëm në GJKKO. Sjellim ndërmend që...

Helmimi i 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, Prokuroria merr në pyetje drejtorin e AKU Tiranë

Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për Tiranën po pyetet nga Prokuroria e Tiranës...

Punimet në aeroportin e Vlorës ndalen për ditën e dytë, punonjësve të kompanive nuk u lejohet hyrja në kantier

Në ditën e dytë të bllokimit të hyrjes së punonjësve në kantierin e aeroportit...

Zjarr në tregun e fruta-perimeve në Lushnjë, digjet një pjesë e çatisë dhe mallrat

Një zjarr ka përfshirë tregun e fruta-perimeve në qytetin e Lushnjës gjatë orëve të...

Më shumë

Ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako paraqitet në GJKKO

Ish-deputeti i PS-së Alqi Bllako është paraqitur mëngjesin e sotëm në GJKKO. Sjellim ndërmend që...

Helmimi i 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, Prokuroria merr në pyetje drejtorin e AKU Tiranë

Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për Tiranën po pyetet nga Prokuroria e Tiranës...

Punimet në aeroportin e Vlorës ndalen për ditën e dytë, punonjësve të kompanive nuk u lejohet hyrja në kantier

Në ditën e dytë të bllokimit të hyrjes së punonjësve në kantierin e aeroportit...