Një specie e re dhe e pazakontë kërmilli deti është zbuluar nga shkencëtarët japonezë në thellësitë ekstreme të Oqeanit Paqësor, duke vendosur një rekord të ri botëror për grupin e njohur si “limpets të vërtetë”.
Zbulimi u bë rreth 500 kilometra në juglindje të Tokios, në një zonë ku fundi i detit ndodhet pothuajse gjashtë kilometra nën sipërfaqe.
Në këtë mjedis ekstrem nuk depërton asnjë dritë, temperaturat janë vetëm pak gradë mbi zero dhe presioni është shume i madh. Pikërisht aty, gjatë një misioni eksplorues, studiuesit zbuluan një kërmill deti të madh të ngjitur mbi një shkëmb vullkanik në thellësinë 5,922 metra.
Ekspedita u realizua nga Agjencia Japoneze për Shkencën dhe Teknologjinë Detare-Tokësore me nëndetësen e pilotuar “Shinkai 6500”, një nga mjetet e pakta në botë që mund të zbresë në thellësi të tilla.
Shkencëtarët arritën ta fotografojnë dhe ta mbledhin organizmin, i cili u identifikua si një specie krejtësisht e re. Kërmilli u pagëzua me emrin “Bathylepeta wadatsumi”, duke u bërë përfaqësuesi më i thellë i regjistruar ndonjëherë i këtij lloji organizmash.
Emri “Wadatsumi” është marrë nga perëndia japoneze e detit, por edhe nga një personazh gjigant i mangas së famshme “One Piece”. Studiuesit e konsideruan emrin të përshtatshëm pasi organizmi kishte përmasa të jashtëzakonshme për specien e tij, me një guaskë që arrinte 40.5 milimetra gjatësi.
Kërmilli dallonte për guaskën e tij me rreth 80 vija të bardha radiale, të cilat shkëlqenin nën dritat e nëndetëses mbi sfondin e errët vullkanik të oqeanit të thellë.
Sipas studiuesve, zbulimi është i rëndësishëm sepse shumica e organizmave të ngjashëm janë zbuluar më parë vetëm përmes pajisjeve që nxjerrin materiale nga fundi i detit, pa mundësinë e vëzhgimit të tyre në habitatin natyror.
Falë misionit me “Shinkai 6500”, shkencëtarët arritën të studiojnë drejtpërdrejt mënyrën e jetesës së këtij organizmi në një nga mjediset më të ashpra të planetit.
Specia ushqehet duke gërvishtur sedimentet e holla mbi shkëmbinjtë vullkanikë, duke konsumuar grimca organike që zbresin nga sipërfaqja e oqeanit. Studiuesit besojnë se organizmi mund të luajë një rol të rëndësishëm në riciklimin e lëndëve ushqyese dhe në ciklin e karbonit në ekosistemet e oqeanit të thellë.
Sipas studimit të publikuar në revistën shkencore “Zoosystematics and Evolution”, zbulimi shton njohuritë mbi biodiversitetin misterioz të oqeanit të thellë dhe tregon se shumë zona të planetit mbeten ende pothuajse të paeksploruara.


