Një konflikt mes disa grupeve të miturish është parandaluar në kohë nga Policia e Tiranës, pas marrjes së informacionit se një përplasje mund të ndodhte në zonën e Kombinatit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, ndërhynë menjëherë pas sinjalizimit dhe lokalizuan në rrugën “Llambi Bonata” disa grupe të miturish, të cilët dyshohet se ishin mbledhur për t’u konfliktuar.
Policia i shoqëroi të miturit në komisariat, ku gjatë kontrollit fizik disa prej tyre u gjetën me thika, kaçavida dhe mjete të tjera të mprehta, ndërsa u sekuestruan gjithashtu edhe disa maska.
Në total, janë proceduar në gjendje të lirë 28 të mitur, të moshave 13 deri në 17 vjeç.
Veprimet procedurale janë kryer në prani të prindërve dhe psikologëve, ndërsa pas komunikimit me prokurorin është nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Ngjarja ngre shqetësim për përfshirjen e adoleshentëve në konflikte të organizuara dhe sidomos për faktin se disa prej tyre kishin me vete armë të ftohta dhe mjete të mprehta.
Ndërhyrja e shpejtë e policisë ka parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe një përplasje të mundshme me pasoja më të rënda.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



