Kreu i SPAK, Klodjan Braho në konferencën e përbashkët për shtyp me Antimafian Italiane ka zbuluar detaje në kuader të operacioneve të zhvilluara në Shqipëri dhe Itali. Braho theksoi se janë lëshuar 15 masa ndërsa në fokus ishte goditja e produkteve dhe pasurive që kanë rrjedhur nga trafikimi i drogës. Nga ky operacion janë sekuestruar rreth 1 milion euro.
“15 masa, 10 nga GJKKO në Tiranë. Element i rëndësishëm edhe goditja e produkteve dhe pasurive që kanë rrjedhur nga trafikimi i drogës. Gjatë hetimeve janë sekuestruar rreth 1 milion euro dhe nga GJKKO janë sekuestruar edhe pasuri të tjera të rrjedhura nga aktivitete kriminale.
Ajo që dua të theksoj është se kjo skuadër nuk vjen si pasojë e një terreni bosh, por vazhdimësi e disa skuadrave të mëparshme. Përmend operacionet “Shpirti”, “Kulmi”, “Ura” ku janë dënuar 170 persona, 145 prej të cilëve me dënime të rënda mbi 12 vjet.
Bashkëpunimi i sotëm është më i miri që ne në Shqipëri kemi pasur. Skuadrat e përbashkëta mund të funksionojnë. Kur ekziston vullneti dhe angazhimi, rezultatet hetimore janë të arritshme. Në emër të SPAK shpreh vlerësim për autoritetet gjyqësore italiane, në veçanti Prokuroria e Barit, Antimafian, Eurojust dhe hetuesit që kanë kontribuuar. Vlerësoj Policinë e Shtetit në Shqipëri që ka ekzekutuar urdhtat e arrestit. SPAK mbetet i gatshëm për bashkëpunim edhe në procedime të tjera.”, tha ai.


