Një mjek është plagosur rëndë pasi u sulmua me thikë brenda repartit të urgjencës në spitalin Hillingdon, në perëndim të Londrës, në një incident tronditës që ka ngritur shqetësime të reja për sigurinë e stafit shëndetësor në Britani.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës, kur një 27-vjeçar dyshohet se sulmoi mjekun, rreth të 50-ave, me një thikë të madhe në korridorin e njësisë së urgjencës.
Sipas dëshmitarëve, autori vazhdonte të buzëqeshte gjatë sulmit. Një person që ndodhej në vendngjarje deklaroi se pa të dyshuarin duke goditur mjekun ndërsa ai ishte i shtrirë në dysheme.
“Ai po buzëqeshte ndërsa e godiste me thikë. Kur policia e arrestoi dhe e kaloi pranë meje, ai më buzëqeshi”, tha dëshmitari për mediat britanike.
Fatmirësisht, në momentin e incidentit në spital ndodheshin edhe efektivë të policisë metropolitane, të cilët po trajtonin një ngjarje tjetër në repartin e urgjencës. Oficerët ndërhynë menjëherë dhe neutralizuan sulmuesin, duke shmangur një tragjedi më të rëndë.
Burime pranë hetimit thanë se mjeku “pati shumë fat” që policia ishte aty, pasi sulmi mund të kishte përfunduar fatalisht.
I dyshuari u arrestua në vendngjarje nën akuzat për tentativë vrasjeje dhe plagosje të rëndë. Sipas raportimeve, 27-vjeçari dyshohet të ketë probleme të shëndetit mendor.
Mjeku mori trajtim të menjëhershëm në spital dhe autoritetet deklaruan se gjendja e tij nuk konsiderohet kërcënuese për jetën apo me pasoja të përhershme.
Në një deklaratë zyrtare, Policia Metropolitane konfirmoi arrestimin e autorit dhe bëri thirrje për bashkëpunim nga qytetarët që mund të kenë informacione lidhur me incidentin.
Ndërkohë, përfaqësues të Hillingdon Hospitals NHS Foundation Trust dënuan ashpër sulmin, duke theksuar se “çdo formë dhune apo agresioni ndaj stafit shëndetësor është e papranueshme”.


