Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Itali, ku një turiste 32-vjeçare nga Kolumbia dyshohet se është rrëmbyer dhe përdhunuar vazhdimisht për tre ditë në periferi të Romës.
Sipas autoriteteve italiane, gruaja kishte mbërritur në kryeqytetin italian në fillim të muajit maj. Më 19 maj, pranë stacionit të trenit Roma Termini, ajo dyshohet se ka takuar një burrë që e joshi me pretekstin e blerjes së drogës.
Pak më vonë, 32-vjeçarja dyshohet se u rrëmbye dhe u dërgua në një ndërtesë të braktisur në zonën Tor Cervara, në periferi lindore të Romës.
Sipas dëshmisë së viktimës dhe hetimeve paraprake, gruaja u mbajt kundër vullnetit të saj për rreth 72 orë. Gjatë kësaj kohe ajo dyshohet se është përdhunuar në mënyrë të përsëritur nga disa burra, ndërsa është droguar dhe kërcënuar me vdekje.
Autorët dyshohet gjithashtu se i kanë marrë telefonin celular dhe portofolin.


