Në Konferencën e Kryetarëve, nuk kanë munguar debatet mes mazhorancës dhe opozitës.
Deputetja e PD, Ina Zhupa, ka sjellë në vëmendje protestën kundër projektit në Zvërnec, duke thënë: “Në kalendar keni përfshirë të gjitha nismat që janë depozituar ditët e fundit. Ndërkohë, vetëm një propozim timin për zonat e mbrojtura nuk e keni përfshirë. Kjo ndodh sepse ju nuk e keni prioritet interesin e qytetarëve. Prioriteti juaj janë ligjet që vijnë me porosi dhe që u shërbejnë të pasurve, duke dëmtuar dhe shkatërruar interesin publik”.
Ndërkohë, burime bëjnë me dije se kreu i Grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i është përgjigjur me batuta, duke i thënë: “Po shoh që zogjtë bufit duan të duken si flamingo”.
Ndërsa Agron Gjekmarkaj gjatë Konferencës së Kryetarëve u shpreh “Nuk doja të bëhesha pjesë e këtij debati, por askush këtu nuk është as si goce, as si çun; janë si zonja dhe si zotërinj, janë si deputetë të Partisë Socialiste të Partisë Demokratike, dhe askush nuk e ka tagrin, të paktën duke u bazuar në kushtetutë rregullore që ju thotë ju: “Nxirrni jashtë këtë apo atë.” Është… ( ky tager) nëse partia dhe shteti janë një, atëherë sigurisht që ky urdhër mund t’ju vijë, ju mund ta zbatoni, por përndryshe jeni… do ishte një shkelje, kështu mbetet vetëm në thyerje etike, por do ishte thyerje rregullore nëse zbatohej.
Tani, që në kohën kur njerëzit ndien nevojën të ndërtonin një sistem që quhet demokraci në kohën e Agorës të Greqisë së Vjetër, politika ndjek dinamikat shoqërore, bëhet zëdhënëse e tyre dhe përpiqet t’i interpretojë në raport me cilësinë e jetës së njerëzve. Personalisht më ngjan që sot diskutimet në këtë sallë, po në tërësi këto ditë, nuk po i përgjigjen realitetit; duket sikur parlamenti është në një teatër ku ngjarjet e vërteta po ndodhin gjithë këtu. Këtu nuk po ndodh asgjë !
Ngjarja kryesore politike e këtyre ditëve është një protestë e pazakontë, e madhe, madheshtore , që po konsumohet në Bulevardin Dëshmorë të Kombit ditë pas dite dhe po rritet në të gjitha rrethet e Shqipërisë.
Unë besoj që protestat në vetvete janë emancipim shoqëror, ngado që vijnë, kurdo që vijnë, kujtdo që i drejtohen ato.
Nga protestat, një shoqëri nuk ka, le të themi, negativitet; në fund gjithmonë del një pozitivitet. Por pse ndodhin protestat? Protestat ndodhin sepse Shqipëria është e bllokuar. Ju keni 14 vite në pushtet dhe me artifica ekstrapolitike keni dominuar totalisht pushtetin qendror, totalisht pushtetin lokal, keni kapur çdo institucion në Shqipëri pa nevojë, keni kthyer në kukull Presidentin e Republikës, moret per mujshari avokatin e popullit e keni kapur çdo bord të mundshëm duke shuar çdo shenjë pluralizmi në Shqipëri, pra kudo është vetëm një gjë: Partia Socialiste. Keni tentuar diversionin me opozitën, burgun për opozitën, keni menduar që shqiptarët po ikin dhe kanë ikur shumë, është e vërtetë, ka një ftohje të përkohshme me atedheun kanë ikur rreth 1 milion e 300, por është e përkohshme, është dashuria ndaj vendit që është e përjetshme dhe ata po kthehen, po kthehen sot, po vijnë shumë për të protestuar ndaj jush, qesh ti Ulsi qesh, por po vjen dita e gjykimit. Çështja është që sot ju që e keni mbajtur peng kohën dukeni jashtë kohe, dukeni patetik, dukeni të mjerë, dukeni të pabesueshëm, shpeshherë dhe banal, sepse është frika, është kujtesa që zgjohet nga shqetësimi popullor qe ju drejton gishtin !
Integrimi europian nuk ndodh duke bërë letra, as duke miratuar ligje ad- personam . Unë mendoj që integrimi ndodh më shumë në sheshin e protestës sesa në këtë sallë, aty ku kërkohen standarde, ku kërkohet garanci për qytetarin, ku kërkohet liri e vërtetë për të gjithë dhe jo paketë malësh për njerëzit e qeverisë, jo zona të mbrojtura për oligarkët e qeverisë, të cilat minimalisht jo thjesht duhen zhvlerësuar në parlamentin sa më parë, jo thjesht për të kënaqur kërkesat e protestuesve, por për të ndryshuar mendësinë, mentalitetin, sepse Shqipëria është bërë një pronë private që ndahet në mënyrë hierarkike nga maja deri në fund sipas kontributit në Partinë Socialiste. Thoni dikur: “Kjo është Shqipëria që duam.” Shqiptarët po ju thonë: “Kjo është Shqipëria që nuk duam. Duam një Shqipëri tjetër.” Ju e mbani mend një ministre e cila po motnon në pushtet që tha: “Kjo është një pikëz,” tha, “dhe kjo pikëz u bë mal, është gjiri i manastirit.” Po sa gjire të tilla ka Shqipëria ku janë klientë të qeverisë, që i trazojnë midenë e gjumin edhe ministrës edhe të tjerëve? Kështu që do të thoja që është koha për të reflektuar. Partia Demokratike nuk është kundër investimeve të cilat kryhen me transparencë, kundër investimeve të ndershme, nuk është kundër aleatëve, është kundër errësirës, është kundër kapjes, është kundër banalitetit, është kundër patronazhimit, është kundër kësaj retorike fyese ndaj diskriminimit ndaj opozitës, ndaj kësaj vetëkënaqësie që ju ka pushtuar të gjithëve dhe që frika në këtë moment ju ka strukur të gjithëve.”


