Pas Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, foli në një konferencë për mediat.
Në fjalën e tij, Balla u shpreh se opozita sjell në emër të tubimit hallet e veta, ndërsa shtoi se nuk e njeh Sali Berishën si përfaqësues të protestuesve.
“Opozita në emër të protestuesve kishte sjellë nja katër hallet e veta. Ndërkohë protestuesit kanë propozuar disa gjëra të tjera, që këta nuk i kishin fare. Mbi bazën e këtij argumenti, unë dhe kolegët e mi ja kemi bërë shumë të qartë që nuk e njohim partinë e Sali Berishës si partinë përfaqësuese të protestës. Edhe ata që janë organizatorët, t’i përgjigjen kësaj pyetje: a është partia e Sali Berishës pjesë e kësaj proteste? Partinë e Sali Berishës nuk e pranoj si përfaqësuese të protestës.
Mënyra se si ishte formuluar kërkesa, ishte që partia e Sali Berishës vinte në Kuvend që në emër të protestuesve kërkonte disa gjëra. Unë jam shumë serioz në vlerësimin e kërkesave dhe i mora me radhë. Në emër të protestuesve, partia e Sali Berishës kërkonte rrëzimin e qeverisë. I thashë që ju keni marrë përsipër që të sillni në Kuvend kërkesën e protestuesve për të rrëzuar qeverinë. E sillni dot Saliun si kandidat për kryeministër? Nuk po flasim për gjëra pa vlerë. Po flasim për rregulloren e Kuvendit. Kërkuan në emër të protestuesve rrëzimin e qeverisë. Bujrum i thashë. Sillni edhe kandidatin po të keni këllqe dhe hajde ta bëjmë debat.
Nuk e qas fare partinë e Sali Berishës si zëdhënëse të diskutimeve mbi protestën. Kjo parti, të paktën mbi këtë protestë, janë të vetmit në vend që nuk duhet të flasin. Ditën e parë, të dytë e të tretë kanë thënë që këtë protestë e ka bërë Edi Rama. Kjo parti është një parti që një Zot e di si ka përfunduar në këtë derexhe. Qasja ime dhe e kolegëve të mi ka një dimension etik dhe një dimension politik. Si në atë etik ashtu edhe në atë politik, nuk e qas Sali Berishën si përfaqësues të protestës. Dua t’i bëj një pyetje publike protestuesve: e keni mandatuar Sali Berishën si përfaqësuesin tuaj?”, u shpreh Balla.


