Pasi zbardhi gjashtë raste vjedhjesh me thyerje të regjistruara brenda pak ditësh, Policia e Sarandës ka goditur një grup kriminal që grabiste në banesa dhe automjete.
Në kuadër të operacionit të koduar “Focus”, u arrestuan katër persona, u shpall në kërkim një tjetër dhe u sekuestruan sende të dyshuara të vjedhura, si edhe automjeti që dyshohet se përdorej për kryerjen e grabitjeve.
“Si rezultat i një pune intensive hetimore dhe operacionale të kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, për goditjen e një grupi kriminal që kryente vjedhje në banesa dhe në automjete, u finalizua operacionin i koduar “Focus”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:
-B. A., 27 vjeç, B. C., 32 vjeç dhe E. D., 30 vjeç, të tre banues në Tiranë dhe Sh. D., 33 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi O. Sh., 39 vjeç, banues në Fier.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin vjedhje me thyerje, në banesa dhe në automjete.
Gjatë periudhës 25.06.2026-27.06.2026, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në zona të ndryshme në Sarandë, kanë vjedhur shuma të konsiderueshme parash, laptopë, tablet, sende me vlerë dhe dokumente personale, në 5 automjete të cilave iu kanë thyer xhamat dhe në 1 banesë.
Vijon puna për kapjen e shtetasit në kërkim dhe për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky grup kriminal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme“, thuhet në njoftimin e policisë.


