Sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mbajt seanca e gjykimit në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi.
Kjo e fundit mbërriti në ambientet e gjykatës e veshur me një bluzë ku lexohej mbishkrimi “Është një ditë e mrekullueshme”, ndërsa gjatë seancës ngriti pretendime për shkelje procedurale dhe kundërshtoi provat e paraqitura nga SPAK.
Sipas asaj që raporton Anila Hoxha, gjatë rinisjes së seancës, Kryemadhi ka thënë se i është mohuar e drejta për t’u mbrojtur.
Monika Kryemadhi: Zoti gjyqtar, para se të filloj me parashtrimet e mia, do të doja që SPAK të më vinte në dispozicion procesverbalet e ekspertimit të telefonit, sepse në fashikull nuk ndodhen. Kam parasysh se palët janë të barabarta në gjykim dhe këtë e kemi kërkuar në të gjitha seancat.
Kjo do të thotë se më është mohuar e drejta për të qenë e barabartë në proces dhe për t’u mbrojtur.
Dua të më jepet e drejta të mbrohem sipas ligjit, sepse neve nuk na është vënë në dispozicion as ekspertiza financiare, e cila na u dha vetëm në muajin gusht.
Për të pasur një proces të rregullt duhet të kemi në dispozicion të gjitha provat. Nuk mund të na jepet sot një provë e nesër një tjetër, të nxjerra jashtë kontekstit.
Gjykata: Këtu jeni në gjykatë, procesi paraprak ka kaluar. A keni firmosur një procesverbal për marrjen e akteve?
Monika Kryemadhi: Kam marrë gjashtë disqet, por dokumentet përkatëse nuk ekzistojnë. Madje, në diskun e tretë ka katër skedarë që nuk hapen. Këtë e kam thënë disa herë edhe gjatë gjykimit paraprak. Unë po kërkoj të di se me çfarë vendimi është ekspertuar ky telefon, mbi të cilin akuza ka ngritur akuzën. Nuk ekziston asnjë dokument ku të thuhet se cili ekspert e ka kryer ekspertimin dhe në çfarë date është bërë. Nëse është e mundur, dua të më vihet në dispozicion, sepse e gjithë akuza ndërtohet mbi këto mesazhe dhe për këtë arsye më nevojitet ky dokument.
Prokurori Sotir Kllapi: Të gjitha aktet e ekspertimit të telefonave të sekuestruar, jo vetëm të telefonit në fjalë, ndodhen në fashikullin 62, i cili i është vënë në dispozicion gjykatës. Ndërkohë, në fashikullin 63 ndodhen edhe procesverbalet e këqyrjes së tyre. Janë dy procesverbale: një i plotë dhe një i pjesshëm.
Monika Kryemadhi: Si është cilësuar telefoni?
Prokurori i SPAK: Është një iPhone. Ne nuk e dimë nëse ky telefon ka qenë apo jo në përdorim të zonjës Kryemadhi.
Monika Kryemadhi: Po pse?
Prokurori i SPAK: Sepse telefoni është gjetur në banesën e Fatime Kryemadhit. Nuk qëndron pretendimi se zonja Kryemadhi, duke qenë deputete, nuk mund të…
Avokati i Monika Kryemadhit: Duke qenë se kemi të bëjmë me një akt procedural, organi i akuzës duhej të na kishte njoftuar. Ne nuk na është dhënë mundësia të jemi të pranishëm. Nëse është kryer ky veprim procedural, përse nuk jemi njoftuar?
Përveç faktit se në momentin kur është bërë mbyllja e hetimeve, rezulton se edhe sot, kur po flasim, ne kemi ende prova që nuk na janë vënë në dispozicion.
Monika Kryemadhi: Akuza është shumë seksiste, sepse për çdo veprim timin, qoftë politik apo njerëzor, më ka vendosur në pozitën sikur unë të kem qenë shërbëtore.
Rezulton sikur unë paskam qenë bashkëpunëtore me Ilir Metën për çështjen e Adrian Shatkut, ndërkohë që unë kam zero komunikime me zotin Meta për Shatkun. Në komunikime ka vetëm mesazhe të djalit tim, si: “Ashtu”, “kështu”, “hajde zbrit poshtë”.
Ilir Meta ka zero komunikime për Adrian Shatkun. Ndërkohë, Edi Rama ka dhënë dy leje për Ardian Shatkun. Por ata nuk e kanë pyetur asnjëherë Ramën, nuk kanë bërë asnjë veprim për t’i thënë: “Hajde, zoti Rama, a të ka kërkuar Monika Kryemadhi për Shatkun?”. Atëherë, pse lidhet Ilir Meta me çështjen e Shatkut?
Pse akuza nuk ka përfshirë komunikimet për mbarëvajtjen e çështjeve të hipotekave në Pogradec dhe Lezhë? Pse nuk e ka thirrur Taulant Ballën si dëshmitar, që të paktën të na ballafaqonte?
Prandaj them se akuza është seksiste. Unë kam qenë një person i pavarur. Unë do t’i ndjek të gjitha procedurat.


