Një aksident fatal është regjistruar këtë pasdite në zonën e njohur si rrethrrotullimi i TEG-ut në Tiranë, ku një betoniere është përplasur me një automjet, me pasojë një viktimë dhe dy të plagosur.
Policia sqaron se pas përplasjes betonierja ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit.
Për pasojë, njëri prej personave që udhëtonte në betoniere dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër është transportuar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dy personat që ndodheshin në betoniere janë ende të paidentifikuar dhe po punohet për përcaktimin nëse personi që ka humbur jetën në vendngjarje ishte drejtuesi i kamionit apo ishte personi që ndodhet në spital.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, Roland Nuri. rreth 28 vjeç, është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.


