Në pritje të shqyrtimit në asamblenë socialiste të mocionit të propozuar prej saj për “Marrëveshjen e Re për Shqipërinë”, Elisa Spiropali ka lëshuar një mesazh të koduar në rrjetet sociale.
Ajo ka përdorur fotografinë e një prej lumenjve të Shqipërisë dhe e ka shoqëruar me statusin “Mëso nga lumi; pengesat mund ta detyrojnë të ndryshojë rrjedhën, por kurrë destinacionin”.
Në mesin e muajit korrik, Spiropali bëri publik mocionin që i ka paraqitur Asamblesë së PS-së ku kërkon hapjen e një dialogu të gjerë kombëtar, duke argumentuar se protestat dhe pakënaqësitë qytetare nuk duhet të injorohen, por të shihen si një mundësi për reflektim dhe reformim.
Sipas saj, Shqipëria ka nevojë për më shumë përfaqësim, më shumë demokraci të brendshme, më shumë meritokraci dhe institucione më të forta, ndërsa PS duhet të nisë ndryshimin duke reformuar fillimisht veten.
Pas largimit nga posti i ministres së Jashtme, Spiropali ka qenë një prej zërave kritikë brenda grupit parlamentar socialist.
Ajo u kritikua në prill nga kryeministri Rama për mungesën në Kuvend gjatë votimit për të rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku si dhe për kritikat ndaj shumicës qeverisëse në rrjetet sociale.
“Herën e parë nuk votove, herën e dytë bëre çarçaf, herën e 3-të del nga Grupi”, ishte paralajmërimi i Ramës për ish ministren e tij.
Në përgjigje të kritikëve të Ramës, Spiropali iu përgjigj në atë kohë me fjalët “Nuk është trimëri të përjashtosh, trimëri është të dëgjosh. Më përjashton ti, jo ajo”.


