Klubi i Futbollit Skënderbeu ka reaguar pas vrasjes së 20-vjeçarit Joan Zykos në Korçë, duke shprehur dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-futbollistit të Akademisë së Skënderbeut.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, klubi shpreh ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e të riut, duke kujtuar lidhjen e tij me skuadrën korçare.
“Joani ishte pjesë e familjes sonë, fillimisht si futbollist i akademisë dhe më pas si një nga ata tifozë që e mbajnë Skënderbeun në zemër”, thuhet në reagimin e klubit.
Skënderbeu e kujton 20-vjeçarin edhe si një tifoz të zjarrtë të ngjyrave bardhekuqe, ndërsa në fund të mesazhit shkruan:
“Prehu në paqe, Joan! Do të mbetesh gjithmonë pjesë e familjes bardhekuqe”.
Joan Zyko u vra me armë zjarri në Korçë, ndërsa për ngjarjen është arrestuar Kristjan Sterjo, i dyshuar si autor i vrasjes. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të krimit.
REAGIMI I PLOTË
Ndarje e parakohshme nga jeta e Joan Zykos. Klubi i Futbollit Skënderbeu shpreh dhimbjen dhe ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen e parakohshme nga jeta të Joan Zykos, ish-futbollist i Akademisë së Skënderbeut dhe një tifoz i zjarrtë i ngjyrave bardhekuqe.
Joani ishte pjesë e familjes sonë, fillimisht si futbollist i akademisë dhe më pas si një nga ata tifozë që e mbajnë Skënderbeun në zemër.
Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet familjes, të afërmve dhe miqve të tij.
Prehu në paqe, Joan! Do të mbetesh gjithmonë pjesë e familjes bardhekuqe.


