Hyjnë në fuqi ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit, të cilat prekin mënyrën e organizimit të strukturave drejtuese, emërimet në nivelet drejtuese të policisë, strukturën e Postës së Policisë, si dhe sistemin e gradave.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Me ligjin e ri, pas përfundimit të detyrës, ai mund të rikthehet në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, por nuk mund të riemërohet në postin e Drejtorit të Përgjithshëm.
Ky parashikim ndryshon nga ligji i mëparshëm, i cili përcaktonte që Drejtori i Përgjithshëm, pas përfundimit të mandatit, nuk mund të rikthehej në strukturat drejtuese dhe mund të angazhohej vetëm në rolin e këshilltarit.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me emërimin e shefave të komisariateve dhe drejtorive. Sipas ndryshimeve të reja, emërimet do të kryhen sërish nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Ky mekanizëm rikthen mënyrën e parashikuar në ligjin e mëparshëm, ndërsa ligji i vitit 2024, i cili tashmë ndryshohet, parashikonte që emërimet të bëheshin pas zhvillimit të një konkursi.
Ndryshimet prekin edhe strukturën territoriale të Policisë së Shtetit. Rikthehet struktura e njohur si “Posta e Policisë”, e cila ishte ndryshuar në kuadër të organizimit të mëparshëm.
Ndërkohë, ligji i ri sjell ndryshime edhe në sistemin e gradave të Policisë së Shtetit, duke rishikuar mënyrën e organizimit dhe funksionimit të tyre. Ndryshimet e reja synojnë të përcaktojnë një tjetër mënyrë organizimi të strukturave dhe të funksioneve drejtuese brenda Policisë së Shtetit.


