Në intervistën e fundit që dha në Opinion, duke folur për zhvillimet Brenda PD-së, Sali Berisha tha se kjo parti ka shumë njerëz, shumë kapaciteve 2 ose 3 herë më cilësorë se sa KOP-i i 2005.
Kujtojmë se KOP-i i 2005, ishte një nga lëvizjet e spikatura që bëri PD dhe Berisha, dhe që ndihmoi në rikthimin në pushtet të demokratëve. KOP ishte një grupim specialistësh dhe ekspertësh, disa të njohur, disa ende jo, por me CV të pasur, që ju bashkuan strukturave tradicionale të PD, duke i dhënë kësaj force politike disi të vjetëruar asokove, një imazh tjetër, energji dhe vitalitet.
Nga KOP erdhi dhe Lulzim Basha që më tej Berisha i dha dhe drejtimin e PD. Pra në atë fidanishte doktori gjeti dhe pasardhësin, paçka se më pas u detyrua të bënte luftë e të rikthehej me rithemelimin.
Por ka një konsensus në publik se KOP ishte një lëvizje e mirë dhe gjetje si nga ana strategjike, si marketing politik, po ashtu edhe pasurim me burime njerëzore.
Nëse sot PD ka edhe më shumë burime njerëzore, pra specialistë dhe ekspertë se sa KOP dhe 2 ose 3 herë më cilësorë, siç thotë doktori, atëherë çdo gjë është e thjeshtë. Rruga e rikthimit të PD në pushtet qenka e afërt dhe siguria e suksesit elektoral në maksimum.
Problemi është se ku janë këta njerëz? Nëse do të ishin më të shumtë dhe më kualitativë se sa ata të KOP, ata patjetër do të dukeshin, do të ishin vizibël, do të ishin të zëshëm. Një rrezatim të tillë, nuk mund ta fshehësh. Edhe po të duash, nuk ja del dot.
Nuk është problemi se PD nuk ka personalitete dhe ekspertë apo se vuan nga burimet njerëzore. Gjithnjë kjo forcë politike ka pasur njerëz të zotët që i kanë qëndruar pranë.
Problemi është tjetër kund. Eshtë tek basti që ka vënë Berisha, se ai do të rikthehet si kryeministër dhe me këtë rast, ai ka pushtuar gjithë hapësirën publike dhe mediatike të kësaj force politike. Dhe nëse vërtetë ka aty portrete interesante, të reja dhe me cilësi, ata nuk i lë hija e doktorit të shfaqen. Dhe pengesa e dytë është se momentalisht në këtë forcë politike duket se nuk ka një përpjekje të këtyre personaliteteve për të komunikuar me shoqërinë, për të treguar vlerat e tyre, por për të konsoliduar pozicionin brenda radhëve aty. Dhe rruga më e sigurtë deri më tani për ta bërë këtë, është të tregosh besnikëri, jo cilësi.



