Zhvillime të forta janë regjistruar mëngjesin e sotëm në kuadër të hetimeve të SPAK, të cilat kanë përfshirë drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, dhe ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Sipas raportimeve të deritanishme, me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO-së, ndaj Vlora Hysenit është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa është vendosur edhe pezullimi i saj nga detyra si drejtuese e SHISH.
Hetimet lidhen me dosjen e AKSHI-t, ndërsa raportimet e para bëjnë të ditur se Hyseni dyshohet se ka përcjellë informacione shtetërore te biznesmeni Ergys Agasi. Detajet e plota mbi akuzat dhe pozicionin e saj procedural pritet të sqarohen zyrtarisht.
Sipas informacioneve të publikuara në media, Hyseni aktualisht ndodhet jashtë Shqipërisë, në Baku të Azerbajxhanit.
Paralelisht, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Kontrolli është kryer me vendim të GJKKO-së dhe ka përfshirë si banesën, ashtu edhe kontrollin personal të ish-kryepolicit. Gjatë veprimeve raportohet se janë sekuestruar telefoni i Prodës, një laptop, si dhe disa pajisje USB dhe CD.
Emri i Prodës ka dalë gjatë hetimeve pas këqyrjes së materialeve dhe komunikimeve të sekuestruara në kuadër të dosjes së AKSHI-t.
Ilir Proda drejtoi Policinë e Shtetit deri në mars të vitit 2026.
Hetimet dhe kontrollet vijojnë, ndërsa pritet që SPAK të japë detaje të mëtejshme mbi personat e përfshirë dhe veprat penale që po hetohen.



