Një shkëmbim batutash ka ndezur seancën plenare mes kreut të opozitës, Sali Berisha, dhe kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Nga foltorja, Berisha iu drejtua Peleshit duke i kujtuar një deklaratë që kishte bërë një javë më parë, kur pretendonte se Taulant Balla do ta zëvendësonte në krye të Kuvendit.
“Nuk më besove mua ti, kur të thashë se Tao do të zinte vendin, u solle si tuaf”, tha Berisha, duke drejtuar gishtin nga Niko Peleshi.
Reagimi i kryetarit të Kuvendit ishte i menjëhershëm.
“Më marsh të keqen mua ti”, iu përgjigj Peleshi, batutë që u shoqërua me duartrokitje në sallë.
Berisha e lidhi deklaratën e tij me mesazhet e publikuara së fundmi mes ish-kryetares së SHISH, Vlora Hyseni, dhe Ergys Agasit.
Në një prej komunikimeve të datës 19 gusht, Hyseni i shkruante Agasit për ndryshime të mundshme politike, duke përmendur edhe një skenar sipas të cilit Taulant Balla mund të zëvendësonte Niko Peleshin në detyrë.
Ky skenar nuk u realizua, por Berisha e riktheu sot në sallën e Kuvendit si pjesë të përplasjes së tij me kryetarin e Parlamentit.



