Në fundjavë në telefonat tanë kanë mbërritur video që tregojnë se si po festonte Dua Lipa në një dasëm në Prishtinë. Eshtë bërë virale dhe rrjeti ka shpërthyer në këto pamje. Krejt e thjeshtë, këngëtarja që ka 150 milionë paundë pasuri dhe mbi 3.3 miliardë shikime të një kënge në YouTube u lëshua në pistën e vallëzimit me atmosferën tonë tradicionale, me gotën e rakisë në kokë.
Ajo ishte e ftuar nga djali i hallës, siç mëson Albania Today. Dua Lipa është një superstar dhe padyshim se këtë fundjavë do të ishte e zënë, do të kishte aktivitet dhe me siguri që ka marrë shumë kërkesa për të qënë diku, në skenat a produksionet më të mëdha të globit. E megjithatë, ajo i ka shtyrë ose i ka anuluar këto evente për të marrë pjesë në gëzimin e kushëririt të saj. Dhe jo vetëm të marrë pjesë, por ta shijojë deri në fund, me një kënaqësi që dukej haptazi. Mahnitëse dhe normale. Njeri si gjithë të tjerët. Madje ajo ka postuar në rrjetin e saj social foto nga kjo dasëm, duke e bërë të njohur ndërkombëtarisht.
Sakaq, mendja të shkon tek zonjat e zonjushat e ekranit dhe skenës tonë publike e të show-bizit, dhe tek vaniteti i tyre. Sjellja artificiale për t’u dukur sikur kanë mbërritur nga shtresat atmosferike të largëta, sikur i përkasin salloneve të mëdha. Sikur nuk kanë kohë për asgjë, përpos për të qënë në Milano a Paris.
Divat tona me gjasë nuk e kanë as numrin e telefonit të kushërinjve, dhe kanë vite ndoshta pa folur me ta. Vështirë se u janë përgjigjur ftesave që mund të kenë marrë për fejesa, ditëlindje a dasma. Dhe nëse ka ndodhur që të kenë shkuar, sigurisht se kanë tjetër qasje, një paraqitje prej njeriu shumë të rëndësishëm, me një lloj kordoni ndarës me të tjerët.
Dhe mendosi se sa është pasuria e tyre në krahasim me 150 milionë paundë, apo sa janë shikimet në YouTube, përkarshi 3.3 miliardë të Dua Lipës.
Këngëtarja me famë botërore, natyrisht jo me qëllim, u ka dhënë këtë fundjavë një leksion humanizmi vipave tanë të llastuar, me dasmën e kushëririt në Prishtinë.






