Një 36-vjeçar është arrestuar në Durrës pasi dyshohet se ka kanosur me kallashnikov një 69-vjeçar, pas një konflikti për motive të dobëta.
Policia ndërhyri menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit u sekuestruan arma e zjarrit dhe një krehër me municion luftarak.
Njoftimi i Policisë
Finalizohet operacioni i koduar “Relatives”. Ndërhyrja e shpejtë e Policisë parandalon përshkallëzimin e një konflikti.
Kanosi me armë zjarri kallashnikov, një shtetas me të cilin u konfliktua për motive të dobëta, arrestohet 36-vjeçari.
I arrestuari, me precedentë të theksuar penal për armëmbajtje pa leje dhe krime kundër personit.
Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov e dyshuar e përdorur për kanosjen dhe një krehër me municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pasi morën informacion për një konflikt në lagjen nr.8, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të konfliktit dhe parandalimin e përshkallëzimi të tij. Në kuadër të operacionit të koduar “Relatives”, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
-H. Ll., 36 vjeç, banues në Durrës, shtetas me precedentë të theksuar penal në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve kundër personit.
Ky shtetas dyshohet se është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin E. B., 69 vjeç, banues në Durrës dhe më pas e ka kanosur atë, me armë zjarri kallashnikov, që e posedonte pa leje.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit H. Ll., shërbimet e Policisë gjetën armën e zjarrit kallashnikov që dyshohet se është përdorur për kanosjen dhe një krehër me municion luftarak.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.



