Ambasada Amerikane në Tiranë ka zhvilluar një pritje për mirëseardhjen e ambasadorit Eric Wendt, në një event të organizuar nën masa të forta sigurie në ambientet e një hoteli në zonën e ish-Bllokut.
Në aktivitet morën pjesë rreth 130 të ftuar, mes tyre Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ministra, deputetë, drejtues institucionesh, përfaqësues të drejtësisë dhe figura të tjera publike.
Në event u panë Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, së bashku me deputetin Oerd Bylykbashi.
Të pranishëm ishin gjithashtu Elisa Spiropali dhe Bledi Çuçi, ndërsa në pritje mori pjesë edhe ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha.
Mes të ftuarve ishin edhe ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, Blendi Gonxhja, ministri i Drejtësisë Toni Gogu dhe Mirela Kumbaro.
Në aktivitet mori pjesë edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, si përfaqësues i komuniteteve fetare.
Nga ana tjetër, në pritje nuk ishte i pranishëm kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili kishte deklaruar më herët se nuk kishte marrë ftesë.
Mungoi gjithashtu Taulant Balla, i cili kishte marrë ftesë, por ndodhej në Finlandë.
Pritja shënoi një nga daljet e para publike të Eric Wendt pas mbërritjes së tij në Tiranë dhe mblodhi në të njëjtin ambient figura të rëndësishme të politikës dhe institucioneve shqiptare.



