James Groves, 51 vjeç, është dënuar me 20 vite e gjashtë muaj burg në Britani për një seri veprash të rënda seksuale ndaj një vajze të mitur.
Groves, i cili përdor edhe emrin April, u shpall fajtor unanimisht nga një juri për 19 vepra të kryera ndaj viktimës, mes tyre nëntë akuza për përdhunim. Dënimi u dha në Gjykatën e Kurorës në Bristol.
Sipas Policisë së Avon dhe Somerset, abuzimi ndaj vajzës kishte vazhduar për disa vite. Rasti doli në dritë pasi Groves u arrestua fillimisht për komunikim të papërshtatshëm me një fëmijë. Pas arrestimit, viktima tregoi se ishte abuzuar seksualisht dhe përdhunuar në mënyrë të përsëritur.
Mes veprave për të cilat Groves u shpall fajtor përfshihen përdhunimi i një fëmije, sulmi seksual ndaj një fëmije, sulmi me penetrim, posedimi i fotografive të pahijshme të një fëmije, tentativa për komunikim seksual me një fëmijë dhe veprime me qëllim pengimin e drejtësisë.
Viktima, identiteti i së cilës mbrohet me ligj, tregoi para gjykatës pasojat e rënda që abuzimi ka lënë në jetën e saj.
Ajo tha se nuk mban mend pjesë të mëdha të fëmijërisë për shkak të traumës dhe se ndihet tashmë si “një guaskë” e personit që ka qenë dikur.
“E kam humbur fëmijërinë time dhe nuk do ta rikthej kurrë”, deklaroi ajo gjatë procesit.
Detektivi Ben Perrett e cilësoi çështjen si një rast jashtëzakonisht shqetësues të abuzimit të vazhdueshëm ndaj një vajze të cenueshme.
Sipas hetuesit, Groves e kishte shënjestruar dhe manipuluar viktimën për vite me radhë, duke krijuar një marrëdhënie besimi me qëllim ushtrimin e kontrollit mbi të.
Policia vlerësoi gjithashtu guximin e viktimës për denoncimin dhe bashkëpunimin gjatë hetimeve, duke theksuar se dëshmia e saj ishte vendimtare për arritjen e dënimit.
Përveç dënimit me 20 vite e gjashtë muaj burg, ndaj Groves është vendosur edhe një urdhër i përhershëm për parandalimin e dëmit seksual.



