Ambasada e Holandës në Shqipëri ka reaguar pas vendimit të Parlamentit shqiptar për të mos miratuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, ambasada thekson se Holanda mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjithashtu, në deklaratë theksohet se një element kyç për përparimin në këtë proces, i cili bazohet në meritë, është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta të qeverisjes.
“Lidhur me vendimin e sotëm të Parlamentit të Shqipërisë në lidhje me heqjen e imunitetit, Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri deklaron: Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me dëshirat e popullit shqiptar. Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta. Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë do të jetë në gjendje të vazhdojë shpejt dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për sigurimin e këtij procesi”, thuhet në reagimin e ambasadës.

