Gazetari Berat Buzhala ka zbuluar se ka komunikuar me Vlora Hysenin gjatë ditës së djeshme, ndërsa ndaj saj ishte vendosur masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
I ftuar në emisionin “Opinion” me Blendi Fevziun, Buzhala tha se e kishte pyetur drejtpërdrejt Hysenin nëse kishte ndërmend të kthehej dhe të dorëzohej te autoritetet.
“Po, komunikova dhe e pyeta nëse do të vijë të dorëzohet. Më tha se do të kthehem dhe do të dorëzohem”, deklaroi Buzhala.
Ai shtoi se për pjesën tjetër të çështjes i kishte thënë: “Ia pafsh hajrin punës që ke bërë”.
Gjatë intervistës, Buzhala foli edhe për profilin e Hysenit dhe marrëdhëniet e saj me partnerët ndërkombëtarë, duke thënë se ajo ka qenë e vlerësuar veçanërisht në raport me Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, sugjerimi që Hyseni të vinte në Shqipëri dhe të merrte drejtimin e SHISH kishte ardhur nga partnerë ndërkombëtarë.
Buzhala zbuloi gjithashtu se më herët e kishte pyetur Hysenin nëse e njihte Ergys Agasin, por sipas tij, ajo i ishte përgjigjur negativisht.
Vlora Hyseni është vendosur nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa hetimet lidhen me dyshimet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”. Hetuesit dyshojnë se ajo mund të ketë favorizuar Ergys Agasin me informacione gjatë kohës që ai ishte në arrati.
Sipas raportimeve të fundit, Hyseni është dorëzuar te autoritetet kosovare dhe më pas është kaluar te autoritetet shqiptare.



