Erjon Vishkulli, 28-vjeçari nga Elbasani, i cili u plagos me plumb gome në sy para dy javësh në protestën kombëtare që u mbajt në Tiranë, ditën e nesërme do të kryejë operacionin përfundimtar për sa i përket shikimit në syrin e majtë.
Lajmin e ka konfirmuar dhe artisti i njohur, Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si Stresi, ku me një postim në rrjete sociale i ka dedikuar disa fjalë zemre, 28-vjeçarit, teksa i uron dalje sa më të mirë nga operacioni.
“Nesër vëllai jonë hyn në sallën e operacionit, pasi humbi syrin në protestë. Asnjë njeri nuk duhet të paguajë me shëndetin dhe trupin e tij për të drejtën për të protestuar. Lutem që operacioni të shkojë sa më mirë dhe Zoti t’i japë forcë për ta përballuar këtë betejë. Drejtësia nuk duhet të mbetet vetëm një fjalë. Forca vëlla, nuk je vetëm!”, shkruan Stresi në postimin e tij.
Kujtojmë se 28-vjeçari nga Elbasani, u plagos me plumb gome në sy para dy javësh në protestën kombëtare që u mbajt në Tiranë, e thirrur nga të rinjtë dhe eksponentë të Partisë Demokratike. Plagosja e tij i shokoi të gjithë, pasi ai u shfaq në mes të turmës i gjakosur në syrin e majtë.
Pas ndërhyrjes së kryer me sukses, në spitalin Gemelli në Romë, Erjon Vishkulli doli nga ambientet e spitalit të enjten e kaluar, më 29 tetor, nga ku ndau një foto përbri të cilës shkruajti: Kur Zoti vendos të bëjë mrekulli, asgjë nuk është e pamundur.
Të mërkurën e ardhshme, më 11 nëntor, Erjoni do t’ i nënshtrohet operacionit të radhës në të njëjtin spital, ndërhyrje përmes së cilës shpresohet t’i shpëtohet shikimi në syrin e majtë të 28-vjeçarit.



