Pak ditë pas sulmit ndaj faqes së Kuvendi i Shqipërisë, grupi i hakerave Homeland Justice pretendon se ka kryer një sulm edhe ndaj Postës Shqiptare, duke thelluar shqetësimet për sigurinë kibernetike në vend.
Sipas një mesazhi të publikuar në Telegram, grupi deklaron se ka marrë në kontroll faqen dhe të dhënat e institucionit. Aktualisht, faqja zyrtare e Postës Shqiptare është jashtë funksionit, ndërsa disa shërbime për qytetarët, përfshirë pagesat e gjobave të automjeteve dhe faturat e shërbimeve, mund të jenë të rrezikuara.
Hakerët akuzojnë institucionin për bashkëpunim të vazhdueshëm me muxhahedinët dhe për lehtësimin e veprimtarive të tyre. Në mesazhin e tyre thuhet gjithashtu se “zyrtarët e korruptuar të Postës Shqiptare janë kthyer në shërbëtorë të terroristëve të Kampit Ashraf 3 dhe nuk kanë më asnjë pavarësi në veprimet e tyre.”
Grupi paralajmëron gjithashtu për përshkallëzim të sulmeve në të ardhmen: “Veprimet tona të ardhshme do të jenë më të forta, më goditëse dhe më të kushtueshme. Ne kemi në dorë faqen dhe të dhënat e Postës Shqiptare dhe nuk do t’ju lëmë.”

