Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka ndarë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Leander Veizit, balerinit dhe koreografit shqiptar që drejtonte kompaninë e kërcimit të Teatrit Shtetëror të Regensburgut, në Gjermani.
Veizi u gjet i pajetë të hënën në apartamentin e tij në Regensburg, qytetin ku kishte ndërtuar karrierën e tij. Ishte 37 vjeç. Lajmin e konfirmoi Teatri Shtetëror i Regensburgut. Sipas policisë gjermane, në vendngjarje nuk janë gjetur shenja dhune dhe as të dhëna për përfshirjen e ndonjë personi tjetër.
Rruga e tij nisi në Tiranë, ku mbaroi studimet për balet. Më pas u formua në Scuola del Balletto di Toscana, në Itali. Në vitin 2011 iu bashkua kompanisë Gauthier Dance në Theaterhaus Stuttgart, dhe më vonë ansambleve Ballett Vorpommern dhe Tanz Theater Münster.
Veizi ishte edhe koreograf. Veprat e tij u vunë në skenë në Teatrin Gallus në Frankfurt, në Theater Vorpommern dhe në Theater Münster. Nga sezoni 2022/23 u bë pjesë e Teatrit Shtetëror të Regensburgut, dhe që prej marsit të këtij viti drejtonte kompaninë e kërcimit të tij.
U prehtë në paqe.



