Mbas pesë vitesh arrati, ka marrë fund aventura e Moisi Habilaj, i konsideruar nga hetimet si anëtar i grupit kriminal që kultivoi kanabis sativa në Shqipëri, mbasi kishte përfituar nga lidhja e ngushtë me ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
48 vjeçari u zbulua nga policia e Vlorës në një lokal veror në zonën e Borshit, ndërsa bëhet me dije se i janë sekuestruar katër aparate celularë që janë përcjellë për ekspertim telefonik. I dënuar për kultivimin dhe trafikimin e drogës në Shqipëri me 10 vjet burgim, një proces që zgjati afro dhjetë vjet, ndaj Habilaj rëndon edhe një vendim i gjykatës së Katanias prej 12 vitesh për akuzën e pjesëmarrjes në organizatë kriminale.
Kjo situatë do të thotë se autoritetet së pari do të caktojnë një masë sigurie arrest në burg derisa të vendoset se kur do t’i dorëzohet Italisë. Gjatë hetimeve të ish krimeve të rënda që u bazuan edhe në veprimet hetimore të Guardia di Finanza u përmendën episodet e bllokimit në katër episode të 1650 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa, 200 kg, 293,5 kg lëndë narkotike zbuluar në Katania dhe 880 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, e cila ishte transportuar nga Porto Palermo, Shqipëri në Riposto, Itali me peshkarexhën “Fatima”.
Hetimet u bënë publike në 2016-2017 dhe veç anëtarëve të grupit u zbuluan edhe zyrtarë të policisë lokale si edhe funksionari Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm nga 2013 deri 2017. Për ish ministrin ish krimet e rënda deklaruan se fusha e veprimtarisë shtetërore të të pandehurit lidhej mes të tjerave me parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit veçanërisht të veprimtarive të paligjshme të trafikimit të narkotikëve, dyshime për të cilat ai u dënua për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
SPAK ka depozituar një rekurs i cili ende nuk është shqyrtuar në Gjykatën e Lartë.


