Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka ndëshkuar me gjobë dhe pezullim të përkohshëm të aktivitetit kompaninë Albchrome, pas konstatimit të shkeljeve në trajtimin e mbetjeve të rrezikshme.
Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria e IKMT-së në Elbasan zhvilloi një inspektim në ambientet e subjektit, me fokus menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve industriale.
Gjatë kontrollit u konstatua se kompania kishte të magazinuara rreth 318 ton mbetje të rrezikshme, të dala nga sistemi i pluhur kapsit. Sipas inspektorëve, për këtë sasi mbetjesh subjekti nuk dispononte kontrata transferimi për evadimin, asgjësimin apo përpunimin e tyre, në përputhje me kërkesat ligjore.
IKMT vendosi ndaj kompanisë një masë administrative me gjobë në vlerën 4 milionë lekë. Gjithashtu, autoritetet kanë urdhëruar pezullimin e përkohshëm të aktivitetit të subjektit deri në asgjësimin e plotë të mbetjeve të rrezikshme.


