Akademiku i njohur Luan Omari është ndarë nga jeta këtë të enjte, më 29 tetor, në moshën 101-vjeçare.
Lajmi i trishtë është bërë i ditur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e cila ka shprehur ngushëllimet për familjarët, miqtë, kolegët dhe gjithë bashkësinë shkencore.
Me ndarjen e tij nga jeta, shkenca dhe kultura shqiptare humbasin një prej personaliteteve të rëndësishme të së drejtës dhe mendimit juridik, i cili ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, mësimdhënies dhe zhvillimit të institucioneve akademike.
Luan Omari lindi më 10 qershor 1925 në Tiranë, në një familje me tradita kulturore dhe arsimore.
Arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa maturën e përfundoi në gjimnazin italian të Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua për shkencat juridike.
Gjatë karrierës së tij, Omari shërbeu si pedagog i së drejtës publike dhe profesor i së drejtës kushtetuese, duke kontribuar në formimin e brezave të tërë juristësh shqiptarë.
Nga viti 1957 deri në vitin 1974 drejtoi Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës, ndërsa më vonë mbajti funksione të rëndësishme drejtuese në Akademinë e Shkencave.
Ai ishte ndër themeluesit e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitin 1972 dhe një nga personalitetet që kontribuuan në zhvillimin e mendimit juridik shqiptar.
Omari përfaqësoi gjithashtu Shqipërinë në Komisionin e Venecias, pranë Këshillit të Evropës, ku shërbeu edhe si zëvendëskryetar.
Për kontributin e tij, në vitin 2016 u nderua me Çmimin e Karrierës Akademike, ndërsa në vitin 2020 mori dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Luan Omari lë pas një trashëgimi të pasur shkencore, studime dhe botime në fushën e së drejtës, si dhe një kontribut shumëvjeçar në arsimin e lartë shqiptar.



