Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Rremull të Burrelit, ku një 89-vjeçar ka pësuar djegie të rënda në trup, pasi dyshohet se vajza e tij e ka lyer me benzinë dhe më pas i ka vënë flakën.
I moshuari, i identifikuar si Adem Mara, ndodhet i shtruar në një spital në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor për plagët e shkaktuara nga djegia.
Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë dhe është denoncuar në Policinë e Burrelit nga fqinjët, të cilët i kanë dhënë 89-vjeçarit ndihmën e parë.
Pas nisjes së hetimeve, Policia ka ndaluar vajzën e të moshuarit, Majlinda Mara, 43 vjeçe, e dyshuar si autore e ngjarjes.
Sipas të dhënave të raportuara, 43-vjeçarja dyshohet se ka përdorur benzinë për t’i vënë flakën babait të saj, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Ende nuk dihen shkaqet dhe motivet që mund të kenë çuar në këtë akt të rëndë dhune në familje.
Ndaj Majlinda Marës është ngritur akuza për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e mbetur në tentativë.
Hetimet po ndiqen nga Prokuroria e Dibrës, ndërsa 43-vjeçarja pritet të dalë përpara gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.
Ndërkohë, 89-vjeçari vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve në Tiranë.



