Lumturi Kamberi, punonjës i kompanisë “One” u gjet pa ndjenja mëngjesin e sotëm pranë antenave të Midës në Fushë-Arrëz.
Burime për mediat bëjnë me dije se 50 vjeçari ka qëndruar gjithë natën në kushte të vështira atmosferike, pasi ra nga antenat ku po riparonte një defekt.
Kanë qenë efektivë të ushtrisë që kanë konstatuar 50 vjeçarin pa ndjenja dhe më pas e kanë transportuar drejt spitalit.
Fillimisht Lumturi Kamberi është transportuat në spitalin e Traumës dhe më pas drejt një spitali privat. Raportohet se ai është në gjendje të rëndë dhe ka humbur lëvizshmërinë në njërën këmbë.
Kamberi nuk është marrë ende në pyetje nga policia, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Ndërkohë nga kompania “ONE” nuk ka ende një reagim lidhur me këtë rast.
Ndërkohë grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i plotë
Fushë-Arrëz / Informacion paraprak
Rreth orës 09:20, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Pukë ka telefonuar shtetasi Gj. T., i cili ka njoftuar se në fshatin Krrabë ndodhej një person i shtrirë pranë antenave.
Menjëherë, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me shërbimet e emergjencës civile dhe të shëndetësisë, kanë shkuar në vendngjarje (tek antenat në zonën e Midës).
Nga verifikimet ka rezultuar se bëhej fjalë për shtetasin L. K., rreth 50 vjeç, punonjës i një kompanie celulare, i cili dyshohet se kishte shkuar për të rregulluar një defekt në një antenë të kompanisë.
Shtetasi L. K. është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës, për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.

