Një konflikt i dhunshëm është regjistruar në një servis makinash në lagjen 10 të Korçës, ku katër persona kanë mbetur të plagosur pas një përplasjeje që degradoi në përdorim mjetesh të mprehta.
Sipas informacioneve paraprake, pronari i biznesit, Renaldo Xhixho, ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore.
Të lënduar kanë mbetur edhe tre persona të tjerë, të identifikuar si Ergys Themelko, Erion Demolli dhe Lidi Meno. Ata kanë pësuar dëmtime të ndryshme, ku njëri është plagosur në shpatull dhe krah, një tjetër në fytyrë, ndërsa personi i tretë ka marrë lëndime më të lehta.
Ngjarja dyshohet të ketë nisur pas një debati mes klientëve dhe pronarit të servis-it, lidhur me punimet e kryera për ndryshimin e ngjyrës së një automjeti. Pakënaqësia e klientëve ka çuar në përshkallëzim të situatës, duke përfunduar në konflikt fizik.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa pritet edhe marrja në pyetje e personave të përfshirë.

