Katër persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim në Fier, pasi dyshohen si pjesëtarë të një grupi kriminal që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të institucioneve arsimore.
Operacioni policor i koduar “Clean School” u finalizua nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, pas disa muajsh hetime me metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë operacionit u ekzekutuan katër masa sigurie “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata, ndaj shtetasve:
- K. B., 28 vjeç;
- D. F., 25 vjeç;
- M. Zh., 42 vjeç;
- T. Ç., 52 vjeç.
Të katërt janë banues në Fier.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e shtetasit E. B., 38 vjeç, gjithashtu banues në Fier, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.
Gjatë kontrolleve në banesat e personave të arrestuar, Policia sekuestroi 2.9 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, dy peshore elektronike dhe katër telefona celularë.
Sipas hetimeve, grupi dyshohet se ushtronte aktivitetin e shpërndarjes së drogës kryesisht në afërsi të shkollave në qarkun e Fierit.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Hetimit të Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.



