Prokuroria e Tiranës ka zbuluar detaje të reja mbi skemën e dyshuar abuzive në UBA Bank, për të cilën janë caktuar 12 masa sigurimi ndaj punonjësve dhe ish-punonjësve të institucionit financiar.
Sipas njoftimit zyrtar, procedimi penal nisi pas kallëzimit të një klienti, i cili denoncoi tërheqje të paautorizuara nga llogaritë e tij në vlerën e rreth 500 mijë lekëve. Më pas, edhe vetë banka kallëzoi raste të ngjashme që preknin klientë të tjerë.
Nga hetimet ka rezultuar se janë kryer rreth 30 tërheqje pa mandat, ndërsa janë hapur dhe mbyllur depozita me afat në valuta të huaja pa autorizimin e klientëve.
Prokuroria dyshon se Albin Keta dhe Gilbert Hoxha, në cilësinë e zv.drejtorit dhe drejtorit të një dege të UBA Bank, kanë shfrytëzuar aksesin në sistemin bankar për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma monetare nga llogaritë e klientëve. Sipas hetimeve, këto veprime janë kryer përmes mandateve të falsifikuara, ndërhyrjeve në sistem dhe procedurave të tjera të paautorizuara.
Autoritetet dyshojnë se skema është realizuar në bashkëpunim me punonjës të tjerë të bankës, të cilët kanë pasur role të ndryshme në kryerjen e veprimeve të kundërligjshme.
Për disa prej të dyshuarve është caktuar masa “Arrest në burg”, për të tjerë “Arrest në shtëpi”, ndërsa katër persona janë pezulluar nga detyra.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht dëmin e shkaktuar dhe për të përcaktuar përgjegjësinë penale të secilit prej të përfshirëve.


