Një hetim njëmujor proaktiv çoi në arrestimin e një 26-vjeçari, i akuzuar se mashtronte biznese në jug të Shqipërisë duke u paraqitur si inspektor i institucioneve shtetërore. Operacioni, i koduar “The End”, u realizua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit.
Shtetasi i arrestuar, L. M., banues në Sarandë, kërkonte para nga bizneset, duke pretenduar se përfaqësonte IKMT, AKU dhe Administratën Tatimor.
Shumat e kërkuara varionin nga 200 deri në 600 euro për çdo rast, në këmbim të “lehtësive” ose shmangies së gjobave fiktive.
Goditja finale ndodhi në Sarandë, ku i riu u kap mat duke marrë 56 000 lekë të reja. Hetimet kanë dokumentuar se ai ka mashtruar mbi 35 biznese në qytete të ndryshme si Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Vlora, Himara, Orikumi, Fieri dhe Berati.
Policia vlerësoi bashkëpunimin me IKMT-në dhe denoncimet e qytetarëve si çelës të suksesit. Paratë e sekuestruara do të përdoren si provë materiale, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë. Materialet iu dorëzuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme procedurale.

