Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për ekzekutimin e 44-vjeçarit Artan Myrtaj, i njohur edhe si “Tani i Ruzhdiut”, në qendër të Sarandës.
Rreth 13 gëzhoja të kalibrit 9 mm janë gjetur dhe sekuestruar në vendin ku Myrtaj u qëllua për vdekje. Policia ka marrë në pyetje rreth 20 persona që ndodheshin në zonë në momentin e atentatit.
Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë, ndërsa për disa kamera të tjera janë ende në pritje të aksesit. Kontrollet vijojnë edhe në akset dalëse të Sarandës, ku janë ngritur postblloqe për identifikimin dhe kapjen e dy autorëve.
Deri tani nuk ka një pistë të konfirmuar për motivin. Një prej pistave që po verifikohet është ajo e një atentati të kryer nga vrasës me pagesë. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu nëse vrasja mund të lidhet me konfliktin e nisur pas ngjarjes së korrikut të vitit të kaluar, kur u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj.
Artan Myrtaj u vra mëngjesin e djeshëm në një zonë të frekuentuar të Sarandës. Ai ndodhej në një lokal pranë kryqëzimit të ish-agjencisë së vjetër, kur dy persona që lëviznin me motor iu afruan dhe hapën zjarr.
Pasi konstatoi autorët, 44-vjeçari u ngrit dhe tentoi të largohej me vrap në drejtim të rrugës “Vangjel Pandi”. Autorët vijuan ta ndiqnin duke qëlluar, derisa Myrtaj u godit për vdekje.
Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe Xhevdet Skëndaj, një kalimtar i rastit që nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Në vendngjarje ndodhej edhe nëna e 44-vjeçarit, e cila e përlotur tentoi t’i afrohej trupit të të birit, por u ndalua nga efektivët.
Dy autorët u larguan me motor pas atentatit dhe vijojnë të jenë në kërkim, ndërsa hetimet për zbardhjen e vrasjes vazhdojnë.



