Kreu i Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, Florian Hysi, ka dhënë dorëheqjen pas polemikave të shkaktuara nga manekini i Çerçiz Topullit, i ekspozuar në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës.
Manekini, i cili synonte të rikrijonte figurën e Çerçiz Topullit me veshje, armë dhe dylbi, shkaktoi reagime dhe kritika të shumta në rrjetet sociale. Qytetarë dhe figura publike e konsideruan paraqitjen të papërshtatshme për heroin kombëtar dhe kërkuan largimin e saj.
Pas debatit, Hysi njoftoi publikisht dorëheqjen, duke marrë përgjegjësinë për atë që e cilësoi si një gabim tashmë të korrigjuar.
“Ajo që u konsiderua gabim, u korrigjua dhe marr të gjithë përgjegjësinë përsipër”, deklaroi Hysi.
Ai theksoi se çdo detyrë publike duhet të shoqërohet me përgjegjësi personale për vendimet, veprimet apo gabimet e bëra gjatë ushtrimit të saj.
Hysi falënderoi Bashkinë e Gjirokastrës, kolegët dhe punonjësit e Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore, ndërsa e cilësoi largimin e tij si “një akt përgjegjësie dhe respekti për institucionin”.



